• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

BE-ja dorëzon kontigjentin e radhës të ndihmave përkrahje për shëndetësinë kosovare

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka dorëzuar kontigjentin e radhës të donacionit për Kosovë, në vlerë prej 800 mijë euro, në luftimin e pandemisë Covid-19. Vlera e tërësishme e këtij donacioni është 5 milionë euro

Me rastin e dorëzimit të këtij donacioni, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka falenderuar Bashkimin Evropian për këtë donacion, duke vlerësuar si ndihmesë të madhe për institucionet shëndetësore. Sipas tij, vlera e donacionit rritet edhe më shumë, kur në këto ditë e gjithë bota po përballet me pandemi dhe miqtë tanë kanë gjetur arsye që të na ndihmojnë. Ai e vlerësoi këtë ndihmë si ndihmesë që vjen në ditë të vështira kur Kosova është duke konsoliduar sistemin shëndetësor. Falenderime për BE ka bërë edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka falenderuar taksapaguesit evropianë për ndihmat për Kosovën. Ai kërkoi nga qytetarët që të respektojnë masat dhe të mos dëgjojnë thirrjet për mosrespektim të vendimeve nga Qeveria. “Mos lejoni që të kemi donacione të tilla në pafundësi, na ndihmoni ta përfundojmë pandeminë, respektoni masat, zbatoni masat e MSH-së dhe IKSHPK-së, mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e qeverisë, ruani shëndetin tuaj dhe të familjes, më e rëndësishme është shëndeti sesa politika apo dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, theksoi Ministri Zemaj. Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se donacioni është pjesë e ndihmës së unionit për të gjitha shtetet e Ballkanit. Ajo ka apeluar për respektim të rekomandimeve të institucioneve nga qytetarët, duke marrë për bazë që sipas saj, sistemi shëndetësor nuk është në gjendje të mirë. Znj. Apostolova tha se Pandemia nuk është krizë vetëm në Ballkan, por në tërë botën. “Jam krenare që kemi dal më një pako të tillë si ndihmë dhe i shohim kosovarët si vëllezër. I tërë ky donacion sot kap vlerën e 800 mijë eurove, që përbëhet në pakon e 5 milionë eurove në total” u shpreh ajo. Apostolova kërkoj të respektohen masat e IKSHPK-së sepse shumë qytetarë nuk po janë të vetëdijshëm për këtë sëmundje. Në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, donatorët i falenderoj edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i cili i vlerësoi lartë ndihmesën nga ana e BE. Në këtë donacion përfshihen 5 defibrilatorë, 350 pulsiksometër, 400 shtretër, 127 200 maska mbrojtëse dhe 6 mijë teste.

Fotografite e bashkangjitura