• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

Ministri Zemaj dhe drejtori Krasniqi takuan drejtorët e klinikave

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, takuan drejtorët e klinikave të QKUK-së, me të cilët biseduan rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19, për rikthimin e shërbimeve tjera mjekësore, si dhe për ngritjen e disiplinës në punë.

Drejtori Krasniqi deklaroi se puna në QKUK dhe në spitalet rajonale pritet të normalizohet shpejt me rikthimin e shërbimeve të zakonshme shëndetësore, të cilat ishin pezulluar pas përkeqësimit të situatës me pandeminë COVID-19. “Ju falënderojmë për punën e bërë gjatë periudhës së pandemisë. Sot, bashkë me ministrin, jemi këtu që të diskutojmë me ju rreth ballafaqimit me pandeminë, për planin rreth rikthimit të shërbimeve tjera shëndetësore dhe ngritjen e disiplinës në punë”, tha Krasniqi. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, theksoi se performanca në punë do të kërkohet nga i gjithë stafi. Sipas tij, asnjë mjek nuk do të mbesë pa punë. “Jemi të interesuar që të rrisim kapacitetet, t’ju ndihmojmë në punën e përditshme, por njëherësh të kërkojmë llogaridhënie dhe performancë më të mirë. Si ministri, kemi filluar dhënien e specializimeve dhe besoj se do të vjen një kontingjent i mjaftueshëm. Në mandatin tim qeverisës nuk do të lejojë të mbes papunë askush”, theksoi Zemaj. Ministri Zemaj dhe drejtori Krasniqi, më pas, qëndruan për vizitë edhe në Klinikën e Radiologjisë dhe të Pediatrisë, për të parë nga afër punën dhe për të falënderuar stafin për angazhimin e jashtëzakonshëm gjatë periudhës së pandemisë.

Fotografite e bashkangjitura