• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

ShSKUK furnizohet me 5 rëntgen mobil

Ministria e Shëndetësisë e ka pajisur Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës me 5 rëntgenë mobilë- pjesë e Projektit të Shëndetësisë Kosovare, i financuar me huamarrje nga Banka Botërore.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pret që pajisjet e reja mjekësore të lehtësojnë punën e profesionistëve shëndetësorë për trajtimin e pacientëve me COVID-19. “Profesionistët i kanë mirëpritur këto pajisje, të cilat i përkasin sistemit të avancuar. Këta rëntgenë do të mundësojnë një trajtim më efikas të pacientëve tanë. Shpresoj që menaxhmenti do të jetë efikas në edhe në shpërndarjen e pajisjeve mjekësore”, theksoi Zemaj. Sipas planifikimeve, tre rëntgenë do të shkojnë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse dy të tjerë për Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit dhe Prizrenit. Saudin Maliqi, i cili po kryen detyrën e u.d. të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, vlerësoi lart angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me pajisje të reja mjekësore, duke thënë se rëntgenët e rinj do të lehtësojnë shumë punën e personelit shëndetësor. “Ka qenë nevojë urgjente që këta rëntgenë të jenë afër pacientëve të prekur me COVID-19. Pajisjet e reja i mundësojnë pacientëve një diagnostikim më të shpejtë dhe më të suksesshëm”, tha Maliqi. Në kuadër të Projektit të Shëndetësisë Kosovare, ditëve në vijim, do të mbërrijnë edhe 2 rëntgenë statikë, 70 shtretër intensivë, 325 monitorë me parametra të pacientëve dhe 11 spirometër (mjet që mat në mënyrë efektive dhe të shpejtë zbrazjen e mushkërive).

Fotografite e bashkangjitura