Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës
Historia e Institucionit tonë si iniciues dhe zbatues i veprimtarisë komplekse e moderne të arsimit, shkencës dhe shëndetësisë përfshinë tri periudha të zhvillimit të saj: periudhën e parë e karakterizon themelimi i saj, 24.04.1975 kur Pleqësia e Universitetit të Prishtinës mori vendim për themelimin e Seksionit të Stomatologjisë si organizatë mësimore, shkencore dhe shëndetësore nga fusha e stomatologjisë.
Orët e para të mësimit praktik mbahen në laboratorin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë të Prishtinës. Në kohën kur u themelua Seksioni i Stomatologjisë në Kosovë punuan 96 mjek stomatolog. Në këtë kohë një stomatolog vinte për 15.700 banorë.
Seksioni i Stomatologjisë ishte i organizuar përmes këtyre njësive punuese të pavarura:
1. Klinika e Protetikës Stomatologjike
2. Klinika e Sëmundjeve të Dhëmbit
3. Klinika e Sëmundjeve të Gojës
4. Klinika e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive
5. Klinika e Ortopedisë së Nofullave
6. Klinika e Kirurgjisë Orale
7. Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale
8. Laboratori i Dhëmbëve dhe Rentgenit
9. Bashkësia punuese
Studimet pasuniversitare kanë qenë të organizuara në dy forma: përmes specializimit nga disiplinat përkatëse të stomatologjisë dhe përmes kryerjes së magjistraturës.
Deri në largimin nga objektet tona në Seksionin e Stomatologjisë ishin të punësuar 177 punëtor, 44 mjek, prej tyre me thirrje arsimore të profesorit inordinarë 4, të docentit 11, 20 asistent, 9 asistent praktikant, 29 teknikë të dhëmbëve, 50 teknikë mjekësor, 15 punëtorë administrativ dhe 32 punëtorë ndihmës.
Periudha e dytë e zhvillimit karakterizohet me kryerjen e veprimtarisë së saj jashtë ndërtesës ekzistuese. Masat e dhunshme të pushtetit serb u aplikuan me datën 08.08.1990, në klinikat e Fakultetit të Mjekësisë, kurse në Seksionin e Stomatologjisë në vitin 1991, me ç’rast filloi largimi i kuadrit mësimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë bashkë me Seksionin e Stomatologjisë e rifilluan punën e tyre për vitin shkollor 1991/92 në mars të vitit 1992 dhe vazhduan deri në mars të vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe të rëndë e me shumë vështirësi u mbajtën ushtrimet klinike nga lëndët e stomatologjisë nëpër ordinanca private të kuadrit mësimor. Pacientët kryesisht kanë qenë punëtorët e arsimit të shkollave fillore dhe të mesme nga tërë Kosova, të cilëve i’u ofruan të gjitha shërbimet stomatologjike pa kurrfarë kompenzimi.
Një pjesë e kuadrit veprimtarinë arsimore dhe shëndetësore e realizoi në Organizatën Humanitare Bëmirëse “Nënë Terezë” Prishtinë.
Perudhën e tretë të zhvillimit e karakterizon kthimi në objektet tona në qershor të vitit 1999. Në atë kohë Stomatologjia me klinikat e veta u bë pjesë përbërëse e Qendrës Klinike Universitare deri në vitin 2003.
Një ngjarje shumë e rëndësishme për Stomatologjinë ishte 04.11.2003, kur Ministria e Shëndetësisë nxorri Udhëzimin Administrativ 12/2003 mbi Themelimin e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, si Institucion autonom e i pavarur nga QKU.
Sot institucioni me kuadrin i cili vazhdimisht rritet, përsoset dhe përparohet, ka marrë mbi vete përparimin e mëtejmë të shërbimeve stomatologjike dhe të lëndëve stomatologjike, me qëllim që të shndërrohet në një institucion bashkëkohor shëndetësor, arsimor dhe shkencor nga fusha e stomatologjisë në Kosovë dhe që në mënyrë profesionale dhe shkencore t’u ndihmojë qendrave tjera stomatologjike në Kosovë dhe të bashkëpunojë me institucionet e tjera shëndetësore kah rruga e projekteve të përbashkëta hulumtuese, takimeve të përbashkëta profesionale e tj.
Veprimtaria E Klinikës
Klinika e Protetikës Stomatologjike është pjesë e QKSUK-së, e themeluar më 1975 si klinikë në kuadër të Seksionit të Stomatologjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë klinikë ofrohen shërbime dentare terciare specialistike, si qendër e vetme e këtij lloji në Kosovë. Poashtu në kuadër të klinikës zhvillohet edhe edukimi themelor protetikorë për studentët e stomatologjisë dhe edukimi posdiplomik specialistik i stomatologëve. Klinika e Protetikës Stomatologjike aktivitetin e vetë e realizon me personelin profesional të saj që përbëhet nga 17 mjekë specialistë, 4 infermiere, dhe 1 administratore.
Veprimtaria e Klinikës
Klinika e Sëmundjeve të Dhëmbit me Endodoncion funksionon në kuadër të klinikave të QKSUK-së. Është themeluar (formuar) në vitin 1975 si klinikë në kuadër të Seksionit të Stomatologjisë. Realizimi i detyrave në këtë klinikë arrihet me kuadrin profesional të përbërë nga 18 specialistë dhe 6 motra (infermiere). Veprimtaria e punës realizohet me diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve në aspektin konzervativ- endodontik. Në këtë klinikë aplikohen metodat bashkëkohore të diagnostikimit, me përdorimin e radiografisë digjitale si dhe trajtimi me metodat bashkëkohore endodontike. Në klinikë zhvillohet ngritja edukativ-profesionale, që konsiston në: organizimin e studimeve themelore akademike për student në kohëzgjatje prej 6 vitesh, organizimin e studimeve pasdiplomike, si dhe përsosja profesionale specialistike në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Veprimtaria e Klinikës
Klinika e Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale funksionon në kuadër të klinikave të QKSUK-së. Është themeluar (formuar) në vitin 1975 si klinikë në kuadër të Seksionit të Stomatologjisë. Në kuadër të kësaj Klinike funksionon edhe lënda e Sëmundjeve të Gojës si pjesë e studimeve themelore të degës së Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Aktiviteti shëndetësor realizohet përmes kuadrit të specializuar për trajtimin e pacientëve me sëmundje të aparatit mbështetës të dhëmbit dhe me sëmundje të indve të buta të kavitetit oral. Puna në Klinikë udhëheqet nga tetë specialistë të Sëmundjeve të Gojës dhe Dhëmbëve, dhe të Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale. Poashtu, në kuadër të aktivitetit shëndetësor, në këtë Klinikë realizohet trajnimi pasdiplomik specialistik i specializantëve të kësaj lëmie nga të gjitha pjesët e vendit.
Në planet zhvillimore të Klinikës është përfshirë zgjerimi i trajtimit të pacientëve me metoda më bashkëkohore siç është laseri, pastaj aplikimi i ksenotransplantateve kockore për zvogëlimin e defekteve parodontale dhe aplikimi i implanteve në planet e rehabilitimit protetikor të pacientëve me padhëmbësi të pjesshme dhe të plotë
Veprimtaria e Klinikës
Veprimtaria primare e Klinikës është përkujdesja për pacientët të cilëve u është diagnostikuar anomalia dentofaciale e cila kërkon përpunim specialistik ortodontik në të gjitha segmentet: duke filluar nga diagnostika, trajtimet e ndryshme dhe deri te punimi i aparateve ortodontike. Rastet e caktuara me diagnozë të ndërlikuar trajtohen në mënyrë interdisiplinare, në bashkëpunim me klinikat tjera të QKSUK. Pacientët trajtohen me aparate ortodontike mobile (aparate aktive, aparate funksionale dhe aparate pasive) si dhe me aparate ortodontike fikse.
Përveç veprimtarisë shëndetësore, kuadri akademik i Klinikës në mënyrë aktive vepron edhe në të gjitha segmentet e mësimit të studentëve të stomatologjisë. Në klinikë kryhet edhe specializimi nga Ortodoncia për mjekët stomatolog në kohëzgjatje prej 3 vjetëve, gjë që kërkon angazhim plotësues të të gjithë personelit të Klinikës.
Kuadri i Klinikës përbëhet nga 10 mjekë stomatolog – specialistë të Ortopedisë së Nofullave, 4 asistente stomatologu dhe 4 teknikë të Ortodoncisë. Të gjithë mjekët që punojnë në klinikë, gjatë orarit të punës njëkohësisht janë të angazhuar edhe në procesin mësimor në Degën e Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë.
Veprimtaria e Klinikës
Në klinikën e Kirurgjisë Orale kryhen të gjitha intervenimet kirurgjike të kavitetit oral duke filluar nga nxjerrja e dhëmbëve e deri te intervenimet kirurgjikale që i takojnë kirurgjisë paraprotetikore. Klinika ka pjesën hapësinore ambulantore ku kryhen ekzaminimet konziliare, ekstraksionet e dhëmbëve si dhe rastet më të komplikuara te pacientave që udhëzohen nga terreni apo nga shërbimi primar e sekondar shëndetësorë, si dhe pjesën operative e pajisur me mjete bashkohore për realizimin e intervenimeve të lartëpërmendura kirurgjike.
Veprimtaria klinike dhe shkencore në këtë klinikë realizohet nga pesë specialistë të Kirurgjisë orale me tituj të ndryshëm shkencorë, në bashkëpunim me kuadrin ndihmës i cili përbën shtatë infermiere.
Në klinikë ushtrohet edhe mësimi praktik dhe teorik për studentët në nivel universitar dhe atë pasuniversitar specialistik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Veprimtaria
Laboratori teknik stomatologjik, është njësi në vete e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës.
Veprimtarin e vetë e bazon në mbështetjen tekniko - dentare për dy Klinikat e QKSUK-së, e për këtë arsye edhe është i ndarë në dy reparte, ate të Protetikës stomatologjike dhe të Ortopedisë së Nofullave. Ka personel të kualifikuar tekniko- dentar dhe personelin mbështetës, gjithsejt 18 persona prej të cilëve 4 janë teknik ortodontik, 6 janë të protetikës fikse, 3 janë në protetikën e skeletuar-kombinuar, dhe 5 në protetikën mobile.
Në te punohen të gjitha punimet protetike prej atyre mobile, fikse e deri te ato të kombinuara dhe frez teknika, poashtu punohen edhe protezat e ndryshme maksillofaciale.
Milaim Kaçiu, teknik dentar
Shef i laboratorit dentar
+381 38 500 600 22 00
Veprimtaria
Shërbimi për Emergjencë dhe Triazhim Stomatologjik ofron shërbime emergjente specialistike të nivelit të lartë shëndetësor. Ofron shërbime stomatologjike polivalente si dhe kujdeset për trajtimin e rasteve emergjente traumatike. Krahas këtyre shërbimeve ky shërbim mirret me sistematizimin dhe triazhimin e pacientëve në varshmëri prej sëmundjes në klinikat e QKSUK-së nëpërmjet datotekës elektronike.
Veprimtaria e Klinikës
Klinika e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë preventive iu ofron shërbimet klinike dhe preventive moshave fëmijërore, që nga i porsalinduri e deri në moshën 15 vjeçare.
Në klinikën e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive studiohen dukuritë fiziologjike dhe patologjike që zhvillohen në hapësirën e gojës, në mënyrë që të ndikohet në zhvillimin normal të funksioneve dento-orale. Kjo arrihet më anë të aktiviteteve të caktuara klinike dhe preventive.
Veprimtaria klinike konsiston në: diagnostikimin, planifikimin dhe ndërmarrjen e veprimeve adekuate terapeutike në sanimin e patologjive të caktuara. Ndërsa, funksioni preventiv i saj konsiston në identifikimin e hershëm të indikatorëve dëmtues për shëndetin e gojës dhe dhëmbëve si dhe parandalimin e tyre.
Puna klinike dhe preventive në klinikë realizohet nga 13 specialistë të Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive. Kuadri ndihmës shëndetësor përbehet nga 5 infermiere.
Në klinikë zhvillohet ngritja edukativ-profesionale, që konsiston në: organizimin e studimeve themelore akademike për student në kohëzgjatje prej 6 vitesh, organizimin e studimeve pasdiplomike, si dhe përsosja profesionale specialistike në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Veprimtaria
Paraklinika stomatologjike është pjesë e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës që në veprimtarin e vetë përfshinë edukimin themelor paraklinik të studentëve të stomatologjisë.
Në sallën e paraklinikës stomatologjike ekzistojnë 18 fantoma (tavolina pune), për kryerjen e ushtrimeve nga lëndë të ndryshme stomatologjike.
Rentgen diagnostika është pjesë përcjellëse diagnostikuese e QKSUK-së e cila mundëson të gjitha shërbimet rentgengrafike stomatologjike për QKSUK.