Bordi Drejtues i SHSKUK-së mbajti mbledhjen e pestë të rregullt

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) sot mbajti mbledhjen e pestë të rregullt, në të cilën u shqyrtua raportimi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, draft-rregulloret për organizimin e brendshëm të klinikave të QKUK-së, si dhe zbatimi i rekomandimeve të dala nga raportet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NJAB). Gjithashtu, në kuadër të pikës “Të ndryshme”, u shqyrtuan shkresa dhe kërkesa të ndryshme të adresuara për Bordin Drejtues. 

Në fjalën hyrëse, Kryesuesi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, Dr. Faik Shatri, falënderoi për pjesëmarrjen përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës, Odës së Farmacistëve të Kosovës, Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës, si dhe Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës (PRAK). Ai e vlerësoi pjesëmarrjen e tyre si vlerë të shtuar në punën e Bordit dhe si kontribut në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe përfshirjen më të gjerë të akterëve relevantë në diskutimet për zhvillimin e sistemit shëndetësor. 

Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së njoftoi Bordin për aktivitetet dhe punën e zhvilluar në SHSKUK që nga mbledhja e fundit e Bordit Drejtues. Në kuadër të bashkëpunimit me GIZ-in, Drejtori njoftoi Bordin për aktivitetet që janë duke u zhvilluar në funksion të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta.  

Gjithashtu, SHSKUK është duke zhvilluar diskutime me Bankën Botërore për mundësi të mbështetjes së aktiviteteve të ndryshme, në mënyrë të pavarur nga fondet e angazhuara në Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë kuadër, me përfaqësuesit e Bankës Botërore janë diskutuar tri çështje, prej të cilave dy janë më afër realizimit. Njëra prej tyre lidhet me kostimin e shërbimeve shëndetësore, për të cilën Banka Botërore ka paraparë mjete të dedikuara. Ky aktivitet pritet të fillojë me kostimin e shërbimeve në QKUK dhe më pas të shtrihet edhe në spitalet e përgjithshme.  

Drejtori njoftoi se SHSKUK është duke monitoruar procesin e transferimeve të pacientëve dhe është duke zhvilluar konkurse për pozita të ndryshme udhëheqëse, ndërsa ky proces do të vazhdojë edhe me pozitat e infermierëve. 

Në bashkëpunim me Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës, është punuar edhe në përcaktimin dhe harmonizimin e detyrave të infermierëve për profile të ndryshme. Gjithashtu, sipas informatave të Divizionit të Infermierisë, pritet që së shpejti, në bashkëpunim me Odën, të formohet një grup punues për mbikëqyrjen e jashtme të aspektit profesional të infermierisë. 

Drejtori njoftoi Bordin edhe për punën që është duke u zhvilluar në hartimin e Statutit të QKUK-së. Sa i përket buxhetit, u theksua se ka vështirësi në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa SHSKUK ka adresuar kërkesat përkatëse për mbështetje dhe sigurimin e nevojave të domosdoshme. 

Gjatë diskutimit mbi raportimin e Drejtorit të Përgjithshëm, anëtarët e Bordit Drejtues u interesuan veçanërisht për gjendjen e furnizimit me barna dhe material medicinal, si dhe për masat që po ndërmerren për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe për të shmangur mungesat gjatë vitit 2027. 

Në këtë kuadër, Bordi kërkoi përgatitjen e një raporti mbi transferimet e pacientëve, si dhe një raport të veçantë lidhur me funksionimin e shërbimit të biopsisë së veshkës në kuadër të Patologjisë. 

Bordi kërkoi gjithashtu që për mbledhjen e ardhshme të përgatitet Raporti i Auditimit për procesin e furnizimit me barna dhe material medicinal, si dhe raportet për gjendjen aktuale të institucioneve, bazuar në pyetësorët e dërguar më herët nga Bordi Drejtues. 

Ndër kërkesat e tjera të Bordit ishte edhe përgatitja e raportit mbi ecurinë e implementimit të shërbimit të trajtimit të Strokut, si dhe hartimi i një plani pune nga klinikat që kanë lista të pritjes, me qëllim të eliminimit të tyre. 

Gjithashtu, Bordi kërkoi që të përgatitet dhe të prezantohet Raporti gjashtëmujor i punës së SHSKUK-së, i cili do të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme mbi aktivitetin dhe performancën e shërbimeve shëndetësore gjatë gjysmës së parë të vitit. 

Në vijim, anëtarët e Bordit shqyrtuan draft-rregulloret për organizimin e brendshëm të klinikave të QKUK-së. Pas shqyrtimit dhe diskutimeve, Bordi kërkoi që draft-rregulloret të harmonizohen me draft-Statutin e ri të QKUK-së dhe më pas të rikthehen për shqyrtim dhe miratim në Bordin Drejtues. 

Në kuadër të shqyrtimit të zbatimit të rekomandimeve të dala nga raportet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NJAB), Bordi Drejtues kërkoi përgatitjen e një plani veprimi për implementimin e të gjitha rekomandimeve të pazbatuara deri në fund të vitit, me qëllim të rritjes së nivelit të zbatimit dhe forcimit të mekanizmave të kontrollit të brendshëm në SHSKUK. 

Në pikën e fundit të rendit të ditës, Bordi Drejtues shqyrtoi kërkesat dhe shkresat e ndryshme të adresuara nga njësitë organizative të SHSKUK-së dhe mori vendimet dhe konkluzionet përkatëse. 

Në përmbyllje, Kryesuesi i Bordit Drejtues, Dr. Faik Shatri, theksoi se Bordi do të vazhdojë të fokusohet në rritjen e efikasitetit të SHSKUK-së, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit të brendshëm, si dhe në krijimin e mekanizmave që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve dhe kujdesit ndaj pacientëve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors