Në Klinikën e Ortopedisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale shumë e avancuar për fiksimin perkutan të një frakture komplekse të pelvikut, të tipit Tile C, duke përdorur teknikë minimalisht invasive, tek një pacient i moshës 50 vjeçare.
Kjo qasje kirurgjikale bashkëkohore, mundëson stabilizimin e strukturave të dëmtuara të pelvikut përmes prerjeve shumë të vogla, duke reduktuar dëmtimin e indeve të buta dhe humbjen e gjakut gjatë ndërhyrjes. Për pacientin, kjo teknikë mund të shoqërohet me më pak dhimbje postoperative, rikuperim më të shpejtë dhe mundësi për mobilizim më të hershëm dhe hospitalizim më të shkurtë.
Intervenimi është realizuar me sukses nga ekipi operator i Klinikës së Ortopedisë, i përbërë nga dr. Bujar Shabani, dr. Nderim Salihaj dhe dr. Dafina Bytyqi.
Ndërhyrja u krye në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e Anestezionit, të përbërë nga dr. Arben Ahmeti dhe dr. Pranvera Bajrami.
Në përbërjen e ekipit mbështetës ishin instrumentarja Donjeta Hamiti dhe teknikja e anestezionit Mirlinda Bytyqi.
Realizimi i kësaj ndërhyrjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e trajtimit kirurgjikal të traumave dhe frakturave komplekse të pelvikut në QKUK, duke dëshmuar përkushtimin e stafit shëndetësor për aplikimin e metodave moderne dhe minimalisht invazive në praktikën klinike. Mundësi e re për trajtimin e pacienteve që do të kenë nevojë në të ardhmen për këtë procedurë shumë të avancuar!