Mjekët e QKUK-së, Shpresa Beqiri Rashiti, Edmond Komoni, Melihate Pushka dhe Edita Malazogu, morën pjesë në një takim me profesionistë shqiptarë të shëndetësisë që jetojnë dhe veprojnë në Kanada, të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto.
Në takim, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës për avancimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri.
Përmes një videomesazhi, të pranishmit i përshëndeti edhe ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, i cili vlerësoi arritjet e mjekëve shqiptarë në Kanada dhe i ftoi të kontribuojnë me përvojën e tyre në zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë.
Ky takim shërbeu për krijimin e lidhjeve të reja profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare, në funksion të përmirësimit të kujdesit shëndetësor.