Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se sot, në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (KOGj), është realizuar me sukses lindja e parë e një pacienteje 31 vjeçare, e cila kishte arritur shtatzëninë përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik shëndetësor në Kosovë.
Kjo ngjarje shënon një moment të veçantë dhe një arritje të rëndësishme për shëndetësinë publike në vend, duke dëshmuar përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor të QKUK-së në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore dhe cilësore për qytetarët.
Njëkohësisht, ky sukses përfaqëson një shpresë të re për shumë çifte që përballen me sfidën e infertilitetit, duke dëshmuar se edhe në institucionet publike shëndetësore në Kosovë po krijohen mundësi konkrete për realizimin e ëndrrës së prindërimit.
Ky sukses është dëshmi e rëndësishme e avancimit të shërbimeve shëndetësore publike dhe një hap përpara në funksion të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.