JAVA E DIABETIT – VEPRONI HERËT NDAJ DIABETIT!

Në kuadër të aktiviteteve për ndërgjegjësimin mbi diabetin melit, me moton “Veproni herët ndaj diabetit”, Klinika e Endokrinologjisë organizoi një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë mjekë specialistë të endokrinologjisë dhe oftalmologjisë, infermierë, si dhe pacientë me diabet të tipit 1 nga OJQ-ja “Tip 1 Omël”.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, parandalimin dhe zbulimin e hershëm të komplikimeve të diabetit, si dhe sfidat me të cilat përballen personat me diabet në jetën e përditshme.

Klinika e Endokrinologjisë ofron një gamë të gjerë shërbimesh për pacientët me sëmundje endokrinologjike, përfshirë edukimin diabetik, shërbimin për pacientët me pompa insulinike, shërbimin për këmbën diabetike, si dhe shërbimin gjysmëintensiv për trajtimin e rasteve me komplikime akute të diabetit.

Rezultatet e punës për periudhën janar–tetor të këtij viti:

* 11,885 vizita ambulatore;

* 1,151 procedura të aspirimit me gjilpërë të hollë (FNAC) të nodujve të tiroides, nën kontroll ultrasonografik;

* 2,192 ekzaminime ultrasonografike të gjëndrës tiroide dhe paratiroide;

* 2,443 konsultime klinike.

Këto të dhëna pasqyrojnë angazhimin dhe punën e vazhdueshme të stafit në ofrimin e shërbimeve diagnostikuese dhe trajtuese për pacientët.

Gjithashtu, stafi i Klinikës së Endokrinologjisë ka kontribuar në hartimin e katër Udhërrëfyesve Klinikë Nacionalë dhe tri Protokolleve Klinike Nacionale për diabetin melit, në kuadër të grupeve punuese dhe me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Klinika e Endokrinologjisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, fuqizimin e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e diabetit në nivel vendi, si dhe zbatimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike të përditësuara.

Veprimi i hershëm, kontrollet e rregullta dhe informimi i duhur janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me diabet.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors