Klinika e Endokrinologjisë në QKUK realizon rreth 8 mijë vizita në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026

Klinika e Endokrinologjisë në QKUK ka realizuar rreth 8 mijë vizita specialistike vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Nga janari deri në qershor, në Klinikën e Endokrinologjisë janë ofruar shërbime të shumta  diagnostike dhe terapeutike për pacientë nga i gjithë vendi.
Përgjatë kësaj kohe janë kryer 7,864 vizita ambulatore, 343 hospitalizime për trajtim të mëtejmë, 1,499 ultrasonografi të tiroides dhe paratiroides, si dhe 810 punksione aspirative me gjilpërë të hollë të nodujve të tiroides (FNAC), përmes të cilave janë diagnostikuar raste të kancerit dhe patologji të tjera të tiroides. Gjithashtu, janë realizuar një numër i konsiderueshëm konsultimesh brenda klinikave të QKUK-së.
Në Shërbimin Ditor Intraspitalor vazhdon trajtimi i rregullt me oktreotid i 88 pacientëve me akromegali dhe tumore neuroendokrine.
Si qendër referente terciare, Klinika e Endokrinologjisë, krahas rasteve të diabetit mellitus tip 1 dhe tip 2, diabetit gestacional, patologjive të tiroides, akromegalisë, sindromës Cushing, sëmundjes së Addisonit dhe patologjive të tjera endokrinologjike, trajton edhe rastet e rënda dhe të komplikuara të ketoacidozës diabetike, të referuara nga të gjitha pjesët e Kosovës. Këto raste menaxhohen në Njësinë e Mjekimit Gjysmëintensiv.
Këta tregues pasqyrojnë vëllimin e lartë të punës dhe spektrin e gjerë të shërbimeve të specializuara diagnostike dhe terapeutike që ofrohen në Klinikën e Endokrinologjisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors