Psikiatri, psikologji, logopedi dhe mbështetje profesionale për shëndetin mendor
Reparti për fëmijë dhe adoleshentë, në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ka ofruar mbi 4 mijë shërbime në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, duke ofruar trajtim profesional dhe të specializuar për fëmijë dhe adoleshentë.
Sipas të dhënave të Repartit, 2031 nga shërbimet e ofruara kanë qenë psikiatrike, 696 psikologjike, 927 logopedike, ndërsa 202 shërbime janë ofruar nga sociologia. Ndërsa shërbime nga edukatorja special janë 295.
Shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve është një fushë që kërkon vëmendje të veçantë dhe qasje të specializuar, me rëndësi të veçantë për identifikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të problemeve të shëndetit mendor.
Përveç trajtimit të drejtpërdrejtë të fëmijëve dhe adoleshentëve, shërbimet e Repartit synojnë edhe mbështetjen dhe orientimin e familjeve, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e trajtimit dhe në mirëqenien e fëmijës.
Krahas ofrimit të kujdesit profesional, punonjësit e Qendrës i kushtojnë vëmendje të veçantë identifikimit të hershëm të problemeve të shëndetit mendor dhe ndërhyrjes në kohë, me qëllim ofrimin e mbështetjes së nevojshme për fëmijët, adoleshentët dhe familjet e tyre.