Gjatë 24 orëve të fundit, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë ofruar gjithsej 367 shërbime emergjente.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të trajtuar, 81 raste janë menaxhuar në Reanimim, 121 në Emergjencën Internistike, 62 në Emergjencën Kirurgjike, ndërsa 77 pacientë kanë marrë trajtim në Emergjencën Ortopedike.
Në Sallën e Vogël janë trajtuar 26 pacientë, kryesisht për ndërhyrje si qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.
Sa i përket lëndimeve dhe rasteve të veçanta, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 3 raste të intoksikimit (helmimit), 2 persona të përfshirë në përleshje fizike, si dhe 32 persona të lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar edhe 36 pranime për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme të QKUK-së.