Klinika e Hematologjisë në QKUK mbetet qendra e vetme referente e nivelit terciar në vend për trajtimin e të gjitha sëmundjeve jo-malinje dhe malinje të gjakut. Në këtë klinikë trajtohen me sukses të gjitha llojet e anemive, leukemive kronike dhe akute, sëmundjeve limfoproliferative e mieloproliferative, mielomës multiple, sindromës mielodisplazike (MDS), çrregullimeve të trombociteve (ITP), çrregullimeve të hemostazës dhe sëmundjeve të trashëguara si hemofilitë.
Gjatë periudhës gjashtëmujore (janar – qershor 2026), në Klinikën e Hematologjisë janë ofruar shërbime të shumta diagnostike dhe terapeutike për pacientët nga mbarë vendi.
Statistikat e punës për periudhën janar – qershor 2026:
• 3,175 vizita ambulantore
• 416 hospitalizime
• 6,821 ekzaminime të gjakut
• 3,064 kimioterapi të realizuara në shërbimin e Kimioterapisë Ditore
• 610 interpretime të strishos së gjakut periferik
• 199 punksione aspirative të palcës kockore
• 196 biopsi të palcës kockore
Përveç shërbimit të kimioterapisë ditore, ku pacientët me sëmundje malinje marrin trajtimin e rregullt sipas protokolleve bashkëkohore, në kuadër të klinikës funksionon edhe Njësia e Mjekimit Gjysmëintensiv. Në këtë njësi ofrohet trajtim i vazhdueshëm dhe me terapi intensive kimioterapeutike për të sëmurët me leukemi akute.
Këto të dhëna dëshmojnë për spektrin e gjerë të shërbimeve të specializuara dhe pasqyrojnë vëllimin jashtëzakonisht të lartë të punës, si dhe angazhimin maksimal të të gjithë stafit mjekësor të Klinikës së Hematologjisë për ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.