Në lidhje me raportimet në medie se „janë ndërruar foshnjat” në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjeve, por për dhënie të pautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.
Në lidhje me foshnjën e vdekur, gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnja e saj nuk do të mbijetonte.
Deri të ngatërrimi i informatës ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër. Infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit.
Menaxhmenti i Klinikës së Neoantologjisë ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.
Drejtoria e ShSKUK rikujton se në qarkoret informative, të lëshuara së fundmi, ka njoftuar klinikat dhe spitalet, se për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë, që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit.