Prof. dr. Mario Zovak, kirurg-onkolog në Spitalin Universitar „Sestre Milosrdnice“ në Zagreb të Kroacisë, qëndroi sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku u prit në takim nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, me të cilin biseduan për mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe trajnimit të mjekëve kosovarë.
Në kuadër të vizitës së tij, Zovak pa nga afër, gjithashtu, punën që po bëhet në Klinikën e Radiologjisë, gjersa mbajti edhe një prezantim në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë para radiologëve, onkologëve dhe kirurgëve me temën: „Teknologjitë e reja-revolucion për trajtimin e sëmundjeve malinje“.
Profesor Zovak ka ndihmuar në aftësimin e mjekëve kosovarë në institucionin, që e ka udhëhequr dhe ka ardhur në Kosovë, si herën e kaluar, për të ofruar mundësi për aftësim të mjekëve tanë në Zagreb.





