Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, bashkë me zëvëndësuesen e drejtoreshës së ShSKUK, ka vizituar këtë të shtunë, Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.
Vizita u bë me qëllim të vlerësimit të përgjithshëm të kushteve të shërbimit shëndetësor, infrastrukturës dhe cilësisë së kujdesit shëndetësorë për pacientët.
Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, para Bordit Drejtues, ka paraqitur raportin e punës, bashkë me të arriturat dhe sfidat që ka ky institucion.
Raportin e punës e prezantoi edhe Albert Lila, drejtor i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës dhe Besnik Stuja, zëvëndësues i drejtorit të Qendrës Profesionale të Shëndetit Mendor, po në këtë qytet.
Naim Bardiqi, kryesues i Bordit Drejtues, theksoi se “Vizita jonë tregon përkushtimin e Bordit Drejtues për të siguruar shërbime shëndetësore të cilësisë së lartë për pacientët tanë. Kemi vlerësuar përpjekjet e stafit mjekësor, do të mbështesim këto institicione për rritjen e standardit të kujdesit shëndetësor”.
Anëtarët e Bordit Drejtues u interesuan për furnizimin me barna, material shpenzues dhe paisje mjekësore dhe çështje të tjera që ka ndikim në avancimin e shërbimeve shëndetësore.
Ata vizituan disa nga repartet e spitalit, për të parë nga afër punën që po bëhet për trajtim të pacientëve.






