Klinika e Reumatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vazhduar avancimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje reumatizmale, përmes aplikimit të terapive bashkëkohore dhe zhvillimit të shërbimeve të avancuara diagnostikuese.
Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, aktualisht nuk ka pacientë në listë pritjeje për terapitë biologjike. Në Klinikë aplikohen terapi të avancuara, përfshirë anti-TNF, anti-CD20, Infliximab, Rituximab, Etanercept, Tocilizumab, Secukinumab, Acidi Zoledronic dhe Cyclophosphamide, sipas indikacioneve mjekësore dhe protokolleve përkatëse.
Krahas pacientëve të hospitalizuar, Klinika ofron edhe shërbime ditore për pacientët që marrin terapi biologjike, ku në ditë të caktuara trajtohen deri në 25–30 pacientë.
Në kuadër të Klinikës funksionon Kabineti i Ultrasonografisë dhe Kapilaroskopisë, ndërsa gjatë muajit realizohen rreth 40–50 ekzaminime ultrasonografike të abdomenit për pacientët e hospitalizuar. Po ashtu, është funksionalizuar shërbimi i kapilaroskopisë, duke zgjeruar kapacitetet diagnostikuese të Klinikës.
Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e stafit profesional dhe institucioneve shëndetësore për ofrimin e trajtimeve moderne, diagnostikimit të avancuar dhe shërbimeve cilësore për pacientët me sëmundje reumatizmale në Republikën e Kosovës.