Bordi Drejtues i SHSKUK-së kërkon masa për përmirësimin e furnizimit dhe adresimin e gjetjeve të auditimit

Prishtinë, 30 shtator 2026 – Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) mbajti mbledhjen e gjashtë të rregullt, në të cilën shqyrtoi raportimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Projekt-Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore, Draft-Statutin e QKUK-së dhe Raportin Final të Auditimit të Brendshëm për menaxhimin e barnave dhe materialeve medicinale. 

Bordi theksoi se përmirësimi i organizimit institucional duhet të sigurojë kompetenca të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe llogaridhënie në çdo nivel drejtues, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj pacientëve. 

Pas diskutimit, Bordi miratoi në parim Projekt-Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore. Versioni i harmonizuar me vërejtjet dhe rekomandimet do të paraqitet për miratim përfundimtar. Për Draft-Statutin e QKUK-së, u dakordua që propozimet për plotësim dhe ndryshim të paraqiten deri në mbledhjen e radhës. 

Në kuadër të shqyrtimit të raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Bordi kërkoi që në çdo mbledhje të paraqiten raporte për listat e pritjes, ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe përmirësimin e komunikimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve. 

Në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, pas shqyrtimit dhe diskutimit të Raportit Final të Njësisë së Auditimit të Brendshëm për “Sistemin e menaxhimit të barnave dhe materialeve medicinale në SHSKUK/QKUK”, për periudhën 2025 – korrik 2026, rekomandon për ndërmarrjen e masave konkrete për adresimin e gjetjeve të auditimit dhe referimin për shqyrtim të rasteve ku ekziston dyshimi për shkelje të detyrave të punës. 

Raporti i auditimit ka evidentuar mangësi në planifikimin, furnizimin, menaxhimin dhe monitorimin e barnave dhe materialeve medicinale. Ndër çështjet e evidentuara janë planifikimi pa mbulim të qartë financiar, mospërputhjet ndërmjet planifikimit dhe hyrjeve, inicimi i kontratave pa u bazuar në gjendjen reale të stokut, si dhe mangësitë në gjurmueshmërinë dhe mbikëqyrjen e procesit të furnizimit. 

Auditimi ka evidentuar gjithashtu mungesa që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve klinike, përfshirë mungesa të theksuara të penjve kirurgjikalë dhe barnave të caktuara, si dhe raste kur pacientët janë detyruar t’i sigurojnë vetë barnat apo materialet medicinale, ndërkohë që kostoja e tyre nuk është matur në mënyrë të plotë. 

Në bazë të këtyre gjetjeve, Bordi Drejtues ka kërkuar që Drejtori i Përgjithshëm t’ia përcjellë organit kompetent disiplinor rastet e evidentuara nga auditimi për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të detyrave të punës, në përputhje me rregulloren në fuqi. 

Bordi ka përcaktuar që referimi të bëhet në mënyrë të individualizuar dhe të dokumentuar. Për secilin rast duhet të specifikohen personi dhe detyra konkrete, veprimi ose mosveprimi i pretenduar, periudha përkatëse, dokumentet mbështetëse dhe pasoja e konstatuar. 

Bordi ka përcaktuar edhe rastet që duhet të trajtohen me përparësi, përkatësisht: 

rastet e stokut zero dhe vonesat në inicimin e furnizimit, mungesat e zgjatura të penjve kirurgjikalë, dokumentacioni i pagjetur lidhur me kërkesën e datës 28.04.2025, dhe devijimet në planifikimin dhe përcjelljen e barnave për terapi të vazhdueshme. 

Bordi Drejtues ka kërkuar që rastet e referuara të shqyrtohen nga organi kompetent disiplinor në procedurë të rregullt. Referimi për shqyrtim disiplinor nuk përbën konstatim paraprak të fajësisë apo përgjegjësisë individuale. Përgjegjësia eventuale individuale do të përcaktohet nga organi kompetent vetëm pas shqyrtimit të provave, dokumentacionit dhe deklarimeve të personave përkatës. 

Drejtori i Përgjithshëm është obliguar që brenda 15 ditëve t’i raportojë Bordit Drejtues për rastet e referuara, si dhe për masat e menjëhershme të ndërmarra për sigurimin e furnizimit me barna dhe materiale medicinale. 

Bordi ka kërkuar nga menaxhmenti që të paraqesë planin për zbatimin e të nëntë rekomandimeve të auditimit, duke përcaktuar masat konkrete për përmirësimin e planifikimit, menaxhimit të stokut, furnizimit, gjurmueshmërisë dhe monitorimit të barnave dhe materialeve medicinale. 

Bordi Drejtues ka kërkuar që gjetjet e auditimit të përcillen me veprime konkrete institucionale, afate dhe përgjegjësi të qarta, duke siguruar njëkohësisht që çdo çështje e përgjegjësisë individuale të trajtohet në procedurë të rregullt dhe mbi bazën e provave. 

Bordi Drejtues do të monitorojë zbatimin e vendimit dhe realizimin e rekomandimeve të auditimit, me prioritet sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale medicinale dhe mbrojtjen e interesit të pacientëve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors