Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, sot janë përuruar hapësirat e reja të Radiologjisë dhe pajisja e re e Tomografisë së Kompjuterizuar (CT).
Ndërtimi i këtij aneksi dhe blerja e aparaturave të reja nga ana e Shëbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka kushtuar mbi 600 mijë euro.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Me këtë rast, drejtori Sejdiu, tha se, në vazhdimësi jemi duke investuar dhe pajisur spitalet me aparaturën më moderne, që qytetarëve t’u mundësojmë ofrimin e shërbimeve sa më profsionale, cilësore, më të afërta dhe më pak të kushtueshme.
“ Investimet në Spitalin e Prizrenit janë të orientuara që në të ardhmen Spitali i Prizrenit të jetë si qendra e dytë terciare pas QKUK-së. Mendojmë ta bëjmë Kardiologjinë e re invazive në Prizren, që të jemi sa më afër pacientit. Prizreni me rrethinë do të jetë një qendër e avancuar me shërbime moderne”, përfundoi drejtori Sejdiu.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, theksoi se tani qytetarët e Prizrenit do të kenë në dispozicion një repart modern për shërbime mjekësore.
“Vitin 2019 po e përmbyllim me një tjetër lajm shumë të mirë për shëndetësinë. Pas këtij investimi, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit u bë me një repart modern të radiologjisë. E pajisur me CT të re, aparaturë përcjellëse moderne dhe kushte optimale të punës, ky repart do të rrisë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore”, tha ministri Ismaili.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj, tha se ky investim është bërë falë kontributit të Ministrit të Shëndetësisë, si dhe drejtorit të ShSKUK-së.
“Është një ditë e veçantë sepse po inaugurojmë një projekt në vlerën prej 600 mijë euro me pajisje të reja. Puna dy vjeçare e ministrit të Shëndetësisë dhe kontributi i SHSKUK-së, kanë ndihmuar, tani qytetarët do të marrin shërbime cilësore.”, theskoi drejtori Avdaj.
Gjatë këtij viti në Spitalin e Prizrenit është bërë renovimi i Reparit të Emergjencës, Internos, Pulmologjisë, Infektivës dhe Neurologjisë.
