Historiku i shkurtër për Mjekësinë Sportive në Kosovë në Kosovë
Mjekësia Sportive si lëmi multidiciplinare ka fillet e punës së saj gjatë fillimit të viteve të 80-ta në formë të një organizimi primar shëndetësor e quajtur Ambulanca e Mjekësisë Sportive e cila ka funksionuar si njësi e Shtëpisë së Shëndetit në Prishtinë. Më tutje, Mjekësia sportive si lëmi organizohet në nivel të shërbimeve sekondare shëndetësore, gjegjësisht emërohet Dispanseri i Mjekësisë Sportive, por që për shkaqe politike gjatë viteve të 90’ta nuk ishte e shfrytëzueshme për të gjithë sportistët.
Pas luftës së fundit në Kosovë, zhvillimi i sportit dhe kërkesa për kontrolllime shëndetësore të sportistëve obligonte ngritjen e domosdoshme të Mjekësisë Sportive në Kosovë në nivel të një organizimi autonom si Qendër e Mjekësisë Sportive dhe Rekreacionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo Qendër merr rol afirmativ duke bërë kontrollime shëndetësore sistematike për të gjithë sportistët të cilët ishin anëtar të Klubeve dhe Federatave Sportive të Kosovës.
Me riorganizimin ligjor dhe strukturor nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pra me Ligjin e Shëndetësisë Nr. 04/L-125, ky Institucion emërtohet si Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive të Kosovës (QKMS).
Subjektiviteti i saj statutar trashëgohet si shërbim profesional me të drejta dhe detyrime të përcaktuara edhe në bazë të Statutit të SHSKUK-së Veprimtaria e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive QKMS është Institucion publik shëndetësor i cili bënë pjesë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, si shërbim profesional e cila organizon dhe drejton punët administrative dhe profesionale në pajtim me Ligjet në fuqi dhe Statutin e SHSKUK-së.
QKMS ofron shërbimet e kujdesit shëndetësor në nivel sekondar dhe terciar. QKSM përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit me shërbimet tjera specialistike, mundohet të sigurojë nivelin e lartë të cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë sportistët aktiv dhe atyre rekreacional, si dhe planifikon e ndërmerr masat e nevojshme për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të tyre. QKMS organizon në bashkërendim me Klubet dhe Federatat e caktuara së paku dy herë në vit, kontrollime sistematike shëndetësore për sportistët sipas orarit dhe sporteve përkatëse.
Shërbimet profesionale të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive QKMS është qendër referente për lëminë e mjekësisë sportive në Kosovë. QKMS në kuadër të shërbimeve shëndetësore, nëpërmjet vizitave sistematike grupore dhe individuale vlerëson aftësitë fizike të sportistëve aktiv dhe qytetarëve që merren në mënyrë rekreative me sport.
QKMS ka të dhënat e regjistruara për të gjithë të ekzaminuarit me qëllim që të bënë monitorimin, studimin e shkaqeve të lëndimeve, dhe diagnostifikimin e hershëm të sëmundjeve të sportistëve aktiv dhe atyre që merren me rekreacion në Republikën e Kosovës. Andaj, në përkujdesje të zbatimit të kujdesit shëndetësor, QKMS ndërmerr masat e nevojshme për sigurimin e standardeve cilësore dhe sasiore të kujdesit shëndetësor.
QKMS disponon me pajisje bazike për vlerësimin e kapaciteteve fizike të sportistëve dhe rehabilimitin e tyre. Organizimi i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive QKMS është e organizuar në njësinë e shërbimeve specialistike të mjekësisë sportive dhe njësinë për rehabilitimin terapeutik të sportistëve.