Angazhim maksimal në realizim të detyrave dhe përgjegjësive nga farmacistët e punësuar në ShSKUK, ka kërkuar drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, gjatë takimit që ka mbajtur gjatë ditës së sotme.
Qëllimi i takimit ishte furnizimi me barna dhe material shpenzues, bazuar në Listën e re Esenciale të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori Azizi mes tjerash kërkoi që secili nga farmacistët e punësuar në ShSKUK të japë maksimumin e punës që mos të ketë ngecje në furnizim dhe pacientëve që marrin trajtim të mos u mungojnë barnat e nevojshme. Ai tha se nuk do të ketë tolerime dhe në rastet kur vërtetohet se ka pasur ngecje, ndaj përgjegjësve do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore dhe askush nuk do lejohet të jetë pengesë e proceseve të nisura.