• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

Klinika e Syve shton vëllimin e punës, ulë referimet jashtë vendit

Numri i rasteve të referuara nga Klinika e Syve e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, ka rënë në më shumë se 50 % gjatë vitit 2020.

Vitin e kaluar, 190 pacientë, që kishin probleme të ndryshme shëndetësore me sy, të cilat nuk janë trajtuar në Kosovë, janë dërguar për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Në vitin 2019 u referuan 469 raste, ndërsa në vitin 2018 ishin referuar 527 raste për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Pas blerjes së aparaturës së re dhe pas trajnimeve të vazhdueshme që kanë ndjekur mjekët, në Klinikën e Syve, gjatë vitit 2020, janë aktivizuar shërbime të reja shëndetësore. Për një vit, mjekët specialistë të oftalmologjisë kanë kryer 126 operacione në segmentin e pasmë të syrit apo PPV (Pars Plana Vitrectomi), 37 intervenime me Laser Assisted DCR- Dacryocystorhinostomy (operim i kanalit të lotit me laser), 41 raste me Cross-Linking (CXL) tek rastet me Keratokonus dhe 4 ndërhyrje me laserim tek retinopatia te prematurët - ROP (ndërhyrje me laser te fëmijët e lindur para kohe, që kanë problem me enët e gjakut). Më herët, në pamundësi për të marrë këto shërbime në QKUK, qytetarët e Kosovës janë detyruar të gjejnë zgjidhje jashtë institucioneve publike shëndetësore, në rastin më të vështirë, edhe në vendet e huaja, duke harxhuar mijëra euro.