• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

U mbajt mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së dr. Hajrullah Saraçi

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së anesteziologut dhe u.d. drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë, dr. Hajrullah Saraçi.

Miq, kolegë, bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë evokuar kujtime nga puna, jeta dhe veprimtaria e tij, duke e vlerësuar lartë figurën e tij prej një humanisti dhe profesionisti të dalluar. Në emër të ShSKUK-së, të pranishmëve ju është drejtuar, dr. Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, i cili pasi shprehu ngushëllime lidhur me vdekjen e tij, tha se dr. Saraçi do të kujtohet si një profesionist i mirë, njeri human dhe menaxher i mirë. “ Edhe pse e njoha për kohë të shkurtër, ishte mjaftueshëm për të vlerësuar punën e tij si menaxher i mirë për avancim të shërbimeve shëndetësore”, u shpreh ai. Sipas tij, shëndetësia kosovare dhe anesteziologjia humbi një profesionist të mirë, kolegët një mik të çmuar, kurse familja më të dashurin e tyre. Dr. Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv tha se dr. Saraçi ishte anesteziolog shembull dhe student i dalluar. “ Ishte njeri me vlera të larta njerëzore e profesionale, që do të shërbejë si referencë për anesteziologët dhe anesteziologjinë”. Në emër të Asociacionit të Anesteziologëve, foli dr. Lulzim Emini, i cili evokoi kujtime nga fillimet e specializimit të dr. Saraçit, duke e përmendur edhe kohën që dr. Saraçi kishte kaluar në spitalet e Gjermanisë dhe eksperiencën që kishte sjellë në Kosovë. Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi vëllai i të ndjerit, i cili tha dr. Hajrullahu ishte gjithmonë i angazhuar për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, fillimisht në QKUK, e sidomos në krijimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Spitalit të Vushtrrisë. Varrimi i dr. Hajrullah Saraçi, do të bëhet sot, në fshatin e tij të lindjes, në Bivolak të Komunës së Vushtrrisë.

Fotografite e bashkangjitura