Në vlerën prej 750 mijë eurove, janë përuruar sot investimet e bëra në Klinikën e Kardiokirurgjisë, vetëm pak kohë pas transformimeve rrënjësore që janë bërë edhe në Klinikat e Gjinekologjisë, Onkologjisë dhe Urologjisë.
Komunikatë e huazuar nga Zyra e Kryeministrit Në kuadër të këtij përurimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi të gjithë të pranishmit, në veçanti mjekët dhe infermierët për këtë mikpritje të përzemërt me rastin e përurimit të sotëm dhe modernizimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë. Njëkohësisht, kryeministri falënderoi Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë Shpejtim Shurdhiqi dhe ambasadorin italian në Kosovë, Antonello de Riu, për mbështetjen që kjo Klinikë ka marrë nga Republika e Italisë, dhe një mysafir të veçantë, kardiokirurgun Bledi Zhakun, nga Struga që jeton në New Jersey, i cili ishte sot aty si një ekspert nga diaspora për t’i parë investimet që Qeveria po i bën në Kosovë. Pas finalizimit të investimeve, Klinika e Kardiologjisë ka nëntë shtretër më shumë, dhoma të kujdesit intensiv dhe salla operative sipas standardeve më të larta, zona të filtrimit për eliminimin e infeksioneve intrahospitalore, banjo e nyje sanitare moderne, hapësira të ripërtërira e të riorganizuara të sportelit dhe të pritjes, si dhe hapësirë të re prej 200 metra katrorë për depo të barnave, arkiva dhe zyre për stafin shëndetësor. Siç themi, klinikë pas klinike, po e rregullojmë atë që na e rregullon shëndetin, na e mirëmban atë”, u shpreh kryeministri. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sot po lëshohet edhe një klinikë me kushtet më moderne të mundshme dhe një klinikë kaq e rëndësishme si Kardiokirurgjia. Ajo do të ofrojë mundësi për të gjithë pacientët në Republikën e Kosovës që t’i marrin shërbimet më të mira, më cilësore, të cilat më herët nuk i kanë marrë këtu, por në vende tjera apo në klinika private. “Do të vazhdojmë klinikë pas klinike, do të vazhdojmë me me mos ndaljen e shërbimeve pavarësisht gjithë investimeve në QKUK, por jo vetëm, edhe në spitalet e përgjithshme”, tha ministri Vitia, duke falënderuar drejtorin e Klinikës, kompaninë për punën e bërë dhe gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë kontribuar në renovimin e Kardiokirurgjisë. Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për mundësinë që të bëhet një transformim jashtëzakonisht i mirë i Kardiokirurgjisë, e që do të jetë një lehtësim i madh për vetë pacientët, por natyrisht që i krijon kushte dhe mundësi edhe stafit që të rritet numri i operacioneve. Me rastin e përurimit të këtyre investimeve, të pranishëm ishin gjithashtu deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Haxhi Avdyli.