• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

Shërbimi digjital për regjistrimin e të porsalindurve nis në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Prindërit tashmë mund të kryejnë regjistrimin e foshnjës direkt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përmes një sistemi të integruar dhe pa procedura shtesë.

Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e të porsalindurve në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe administrative. Ky sistem u mundëson prindërve që regjistrimin e foshnjës ta kryejnë drejtpërdrejt në QKUK, pa procedura shtesë dhe pa paraqitje fizike në institucione të tjera. Të dhënat barten automatikisht te institucionet përkatëse, duke eliminuar ngarkesën administrative. Shërbimi përfshin: regjistrimin në sistemin shëndetësor, aplikimin për shtesa për lehonën dhe fëmijën, regjistrimin e vaksinimit, hapjen e llogarive në eKosova dhe njoftimin elektronik të institucioneve. Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, theksoi se ky është një hap konkret drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për prindërit, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen. Para QKUK-së, shërbimi ka nisur të zbatohet si pilot-projekt në spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa pas QKUK-së do të shtrihet në të gjitha maternitetet në vend. Projekt i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Bashkimit Evropian, Qeverisë Gjermane dhe GIZ-it.