Me synim mbrojtjen e pacientëve dhe stafit përmes masave urgjente dhe koordinimit për largimin e qenve endacakë
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të institucionit. Qëllimi i këtij shtabi është të sigurojë mbrojtjen e menjëhershme të pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes koordinimit ndërinstitucional dhe zbatimit të masave urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë. Shtabi Emergjent përbëhet nga përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, përfaqësues nga Klinika Emergjente, Zyra Ligjore, si dhe Shërbimi i Sigurimit dhe zjarrfikësve. Në këtë mekanizëm janë përfshirë edhe institucionet relevante jashtë QKUK-së, si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë, Inspektorati komunal, si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.