Furnizimi është realizuar në vazhdimësi dhe nuk është ndalur asnjë procedurë kirurgjikale
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton opinionin publik se klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale kanë qenë të furnizuara me penjë kirurgjik, në përputhje me nevojat dhe specifikat profesionale të shërbimeve që ofrojnë. Furnizimi me këto produkte është realizuar në vazhdimësi, bazuar në kërkesat dhe planifikimet e institucioneve shëndetësore, duke siguruar mbarëvajtjen e procedurave kirurgjikale dhe ofrimin e pandërprerë të shërbimeve për pacientët. Sa i përket raportimeve për mungesë të përkohshme të disa numrave specifikë të penjve kirurgjik, ju njoftojmë se furnizimi me këto produkte është realizuar gjatë ditës së djeshme në Barnatoren Qendrore dhe ato tashmë pritet të shpërndahen në klinika dhe spitale. Asnjë procedurë kirurgjikale nuk është pezulluar apo anuluar për shkak të mungesës së penjve kirurgjik. ShSKUK/QKUK është në gatishmëri të plotë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të rregullt me materiale mjekësore, si dhe për të siguruar vazhdimësinë e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore.