Me moton “Më shumë kujdes” u shënua Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, e organizuar nga Klinika e Neurologjisë dhe Shoqata Kundër Epilepsisë. Me këtë rast, u kërkua që të luftohet stigmatizimi ndaj personave me epilepsi.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se stigma është prezent në shoqërinë tonë. “ Ju siguroi që do të punojë që lista esenciale për këta pacientë të mos mungojë. Në kushtet e sotme, në listën esenciale të barnave ka ilaçe për epilepsi, por ne si ministri edhe unë si ministër, do të bëjë krejt çka mund të bëjë të mos mungojnë kurrë për sëmundjet tona. Mbështetja ime ka me qenë gjithmonë e fuqishme me krejt çka unë mund të bëjë, do të bëjë”, theksoi ai. Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ofroi mbështetje për profesionistët shëndetësor dhe të gjitha projektet që ndihmojnë në trajtimin e kësaj sëmundje. “Pandemia COVID mbase do të kalojë një ditë, mbase shumë shpejt, jemi optimistë dhe nuk do të kemi nevojë të mbajmë karrige të larguara nga njëri-tjetri as distancën, por distancën duhet ta shkurtojmë dhe të mos kemi asnjë distancë me pacientët e sëmurë nga epilepsia. Stigmatizimi ndaj kësaj kategorie mbase edhe ndaj sëmundjeve të tjera në shoqërinë tonë nuk kanë vend dhe nuk duhet zënë vend asnjëherë”, potencoi ai. Drejtori Krasniqi, përçoj mesazhin, duke u bërë thirrje të gjithë familjarëve, shoqërisë, të gjitha institucioneve që në mesin e tyre që kanë apo hasin persona me sëmundje të tilla t’ua zgjasin dorën, t’i mbështesin dhe t’i përkrahin. Afrim Blyta, kryetar i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, tregoi kronologjinë e bërë ndër vite për këtë sëmundje, nga ana e profesionistëve të fushës së neurologjisë, duke theksuar edhe punën që është bërë dhe po bëhet për trajtimin e Sklerozës Multiple. Nexhmedin Shala, drejtor i Klinikës së Neurologjisë, falënderoi të gjithë profesionistët e Klinikës së Neurologjisë dhe neurologët e tjerë për angazhimin dhe kontributin e dhënë në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e kësaj sëmundje. Valbona Govori, kryetar Shoqatës Kundër Epilepsisë, duke treguar të dhënat e OBSh-së, theksoi se në Kosovë 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për tu prekur nga epilepsia, ndërsa 67 persona në 100 mijë banorë është prevalenca e sëmundjes.