Punë e jashtëzakonshme në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare
Sot, janë bërë një vit që nga fillimi i ofrimit të shërbimit me aparaturën PET/CT në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjatë këtij viti janë realizuar gjithsej 523 inçizime PET/CT, duke i mundësuar qindra pacientëve që ta marrin këtë shërbim pa pagesë. Ndryshe, në sektorin privat një ekzaminim i tillë kushton nga 1,000 deri në 1,300 euro. Përveç lehtësimit të madh financiar për qytetarët, ky shërbim është një avancim domethënës në diagnostikimin e saktë dhe në kohë, veçanërisht në fushën e onkologjisë. Ky shërbim modern u bë i mundur falë angazhimit të Fondacionit “Jahjaga”, me përkrahjen e çmuar të Fondacionit “Al Ëalid” nga Arabia Saudite. Që nga fillimi i instalimit të aparaturës në shkurt 2024, ShSKUK ka organizuar trajnime intensive për personelin mjekësor, përfshirë katër javë trajnim për stafin e mesëm, si dhe trajnime disa javore e mujore për specialistët e Mjekësisë Nukleare në Hungari, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi. ShSKUK shpreh mirënjohje të veçantë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të Klinikës së Mjekësisë Nukleare, të cilët kanë bërë të mundur funksionalizimin dhe ofrimin e pandërprerë të këtij shërbimi kompleks dhe shumë të rëndësishëm për pacientët. Shërbimi me PET/CT në QKUK do të vazhdojë të ofrohet për të gjithë ata që kanë nevojë për të, si pjesë e përkushtimit të ShSKUK për avancimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor publik në vendin tonë.