Eksperti nga Turqia mbikqyrë stafin e mjekëve
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë realizuar me sukses ndërhyrje mini-invazive (procedura NUSS) për trajtimin e Pectus Excavatum, një deformim i murit të përparmë të kraharorit, tek pacientë të moshës mbi 25 vjeçare. Për dy ditë, janë kryer gjithsej tri ndërhyrje kirurgjikale (dy vendosje dhe një heqje e barrave pas 3.5 vjetësh), nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen profesionale të profesorit të mirënjohur ndërkombëtarisht, Prof. Ass. Tunç Laçin nga Stambolli i Turqisë. Kjo vizitë përbën një moment me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të stafit tanë. Përveç përfshirjes së tij të drejtpërdrejtë në sallën operative, Prof. Laçin ofroi mbështetje për trajnimin e stafit mjekësor dhe ndarjen e përvojave klinike bashkëkohore, çka kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore brenda vendit. Ekipi vendor i përfshirë në këto ndërhyrje përbëhej nga, Dr. Agron Poniku, kirurg torakal, operator, Dr. Ardian Peci, specializant i kirurgjisë torakale, Dr. Medita Hashimi, specialiste e anesteziologjisë, Dr. Drita Uka dhe Dr. Argjend Kamberi, specializantë të anesteziologjisë, Merita Syla, teknike e anestezionit, instrumentaret, Elbasane Elshani, Larisa Eminoviç si dhe, Sabrije Alija, kryeinstrumentare. Fakti që këto procedura tashmë realizohen me sukses në QKUK, redukton nevojën që pacientët të kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe tregon se sistemi shëndetësor në Kosovë po avancon drejt ofrimit të shërbimeve moderne, cilësore dhe të sigurta.