Rreth 16 mijë pacientë marrin shërbime specialistike çdo muaj
Në ambulancat specialistike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdon të ketë fluks të madh të pacientëve. Vetëm gjatë një dite, në ambulancat specialistike marrin shërbime rreth 800 pacientë, pa përfshirë ambulancat nëpër klinika. Numri i përgjithshëm i pacientëve arrin në rreth 4,000 në javë dhe afërsisht 16,000 pacientë në muaj. Për shkak të kësaj ngarkese të madhe dhe fluksit të shtuar të pacientëve, në disa ambulanca mund të ketë pritje. Megjithatë, pacientët po marrin shërbimet e nevojshme specialistike, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tyre. Pavarësisht numrit të madh të pacientëve, stafi me angazhim të plotë ofron shërbime profesionale, cilësore dhe në kohë.