• Emergjenca

    +381 38 500 600
  • Lagjia e spitalit

    Prishtine, 10000
  • I hapur

    24/7

SHSKUK nënshkruan marrëveshje me Shoqatën Kairos

SHSKUK dhe Shoqata Italiane “Kairos Osteopatia e Medicine Integrate” nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për trajtime osteopatike në Klinikën e Pediatrisë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi me Shoqatën Kulturore “Kairos Osteopatia e Medicine Integrate” nga Toscana e Italisë, me qëllim të zbatimit dhe organizimit të trajtimeve osteopatike për pacientët pediatrikë në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Memorandumi është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, z. Elvir Azizi, dhe Presidenti i Shoqatës Kairos, z. Tommaso Ferroni. Ky bashkëpunim synon të ofrojë mbështetje shtesë për fëmijët e shtruar në Klinikën e Pediatrisë përmes trajtimeve osteopatike të realizuara në mënyrë vullnetare nga osteopatë pediatrikë të kualifikuar nga Italia. Objektivat kryesore të projektit janë reduktimi i simptomave të dhimbjes, optimizimi i përdorimit të medikamenteve dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së pacientëve gjatë dhe pas trajtimit spitalor. Në kuadër të këtij memorandumi, ekipet e osteopatëve pediatrikë do të realizojnë vizita periodike në Klinikën e Pediatrisë, duke bashkëpunuar ngushtë me personelin mjekësor dhe shëndetësor të QKUK-së në funksion të ofrimit të një qasjeje multidisiplinare dhe të integruar ndaj kujdesit shëndetësor. Përveç aspektit klinik, marrëveshja parashikon edhe zhvillimin e programeve të trajnimit profesional për stafin shëndetësor vendor, veçanërisht në fushën e fizioterapisë dhe terapive manuale, si dhe shkëmbimin e përvojave profesionale ndërmjet ekspertëve kosovarë dhe italianë. Memorandumi gjithashtu krijon mundësi për bashkëpunim në kërkimin shkencor dhe zhvillimin e studimeve klinike, me synimin e publikimit të rezultateve në revista ndërkombëtare shkencore, duke respektuar të gjitha standardet etike dhe rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale dhe shëndetësore të pacientëve. SHSKUK vlerëson se ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, avancimit të praktikave bashkëkohore shëndetësore dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve për pacientët pediatrikë në Kosovë. Memorandumi do të jetë në fuqi për një periudhë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi dhe zgjerimi të bashkëpunimit në të ardhmen.