Dr. Musa Krasniqi punon në Spitalin Rajonal të Jyllandit Verior dhe është gjinekologu kirurg i parë në Danimarkë, që ka aplikuar Histeroktominë Endoskopike Vaginale (metodë laparaskopike përmes rrugëve natyrale- vaginale).
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, vizitoi Spitalin e Pejës dhe takoi gjinekologun e njohur shqiptar, dr. Musa Krasniqi, i cili jeton dhe vepron në Danimarkë. Bashkë me drejtorin e spitalit Fazli Shala, ajo falënderoi gjinekologun Krasniqi për kontributin, i cili qëndroi dy javë në Pejë për të trajnuar mjekët specialistë aty, duke aplikuar metodat më të avancuara për trajtimin e pacientëve me probleme gjinekologjike. U.d. Drejtoresha Zejnullahu- Raçi e vlerësoi lart punën e Krasniqit, i cili shprehu dëshirën e tij për të dhënë kontribut të vazhdueshëm në shëndetësinë kosovare, sidomos në trajnimin dhe aftësimin profesional të gjeneratave të reja. Në lidhje me këtë, ai mbajti edhe një ligjëratë 4 orëshe ku, përmes video konferencës, morën pjesë edhe gjinekologë nga Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe gjinekologë nga spitalet tjera rajonale të Repubikës së Kosoves. Për dy javë, dr. Musa Krasniqi ka kontrolluar një numër të madh të pacientëve dhe ka kryer një numër të konsiderueshëm të operacioneve laparaskopike dhe histereskopike. Ka bërë edhe largimin e mitrës me laparaskop (3 opracione të tilla), e kryer për herë të parë në Kosovë, largim të cistave në mënyrë laparaskopike. Mandej, ka bërë biopsinë endometriale pa narkozë, që zëvendëson kiretazhën tradicionale diagnostike. Ai ka realizuar edhe ultrazë të kombinuar me ujë të destiluar për diagnostikimin e polipeve endometriale dhe fibrozave submukozale. Para këtij aktiviteti, u.d. drejtoresha Zejnullahu- Raçi mori pjesë edhe në përurimin e dy liftëve në Spitalin e Pejës, që kapin vlerën e 50 mijë dollarëve dhe janë donacion i familjes Pepshi.