Në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2023 janë kryer gjithsej 320 operacione, përfshirë rastet elektive, e po ashtu edhe ato emergjente.
Madje, për herë të parë, në këtë vit që po e lëmë pas, janë kryer operacione që përfshijnë edhe harkun e aortës, respektivisht janë realizuar dy operime të njohura si Aortic Hemiarch Replacement (zëvendësim i gjysmës së harkut të aortës) tek rastet me çarje të aortës. Muaj më parë, gjithashtu për herë të parë tek një pacient i moshës së re, është bërë riparimi i valvulës mitrale dhe largimi i tumorit masiv në zemër. Në këtë Shërbim ka filluar të kryhet edhe procedura e Implantimit të valvulës aortale biologjike përmes qasjeve minimale(ministernotomis) dhe në të ardhmen planifikohet që numri i rasteve të rritet në vazhdimësi. Me sukses janë realizuar operimet në revaskuarizimin kirurgjik të miokardit (muskulit të zemrës), implantim i valvulave biologjike dhe mekanike (aortale, mitrale), kirurgji e aortës, defekte të lindura të zemrës tek të rriturit, endokardite akute. Procedura të kombinuara kirurgjike komplekse, si; revaskularizim kirurgjik i miokardit dhe zëvendësim i njëkohshëm i valvulës aortale apo mitrale (CABG+AVR, CBAG+MVR), zëvendësim i njëkohshëm i valvulave aortale dhe mitrale (AVR+MVR). Riparim i valvulës trikuspidale dhe mitrale, riparim i valvulës aortale dhe zëvendësim i njëkohshëm i aortës ascendente, zëvendësim i aortës me graft te rastet me çarje të aortës, si dhe procedura të tjera kardiokirurgjike (Bentall procedure, Wheat procedurë). Rintheksojmë se gjatë muajit shtator dhe nëntor, në bashkëpunim me kardiokirurgë pediatrik ndërkombëtar janë realizuar 21 raste të operimeve tek fëmijët me defekte të lindura në zemër. Lista e pritjes e cila në fillim të vitit 2023, ka qenë mbi një vit, tani për operim në zemër për rastet elektive nuk pritet më shumë se 2-3 muaj, përderisa rastet emergjente apo urgjente realizohen menjëherë. Aktualisht, me investim nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK, po zbatohet projekti për rinovim të hapësirave të Klinikës së Kardiokirurgjisë, që do të mundësoj kushte më të mira për staf, zvogëlim të infeksioneve intrahospitalore, rritje të numrit të shtretërve, procedura kirurgjike më komplekse dhe njëkohësisht rritje të numrit të pacientëve të operuar. Mjekët kardiokirurgë ju bëjnë thirrje pacientëve me probleme të zemrës kardiokirurgjike, që të drejtohen në QKUK, pa pasur nevojë të kërkojnë ndihmë në qendra të tjera jashtë vendit.