Klinika e Ortopedisë shton dukshëm vëllimin e punës
Rritje e ndjeshme e vëllimit të punës në Klinikën e Ortopedisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 Klinika e Ortopedisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës njofton se gjatë tremujorit të parë të këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale-protezave të realizuara. Gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer gjithsej 124 ndërhyrje ortopedike-proteza, nga lista e pritjes, krahasuar me vetëm 52 operacione të realizuara në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Kjo rritje përfaqëson një sukses të dukshëm në angazhimin dhe performancën e stafit të Klinikës. Mirënjohje për stafin, të cilët me përkushtim e profesionalizëm po e përballojnë volumin në rritje të punës, në shërbim të pacientëve nga e gjithë Kosova. Përkundër rritjes së numrit të operacioneve, akoma ekziston lista e pritjes, por po punohet për t'u rritur edhe më tutje vëllimin e punës, por si klinika e vetme terciare në vend, Klinika e Ortopedisë mbetet e mbingarkuar me raste. Aktualisht, klinika është e furnizuar në mënyrë të mjaftueshme me proteza, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve. Po ashtu, gjatë këtij viti pritet që ShSKUK, për herë të parë të furnizojë me proteza spitalet e përgjithshme në vend, që do të kontribuojë në shpërndarjen më të drejtë të ngarkesës dhe shkurtimin e listave të pritjes. Klinika e Ortopedisë mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim ortopedik në Republikën e Kosovës.