Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës, si njësi përbërëse e ShSKUK-së, ka rritur vëllimin e punës duke shtuar numrin e shërbimeve stomatologjike, si në sasi, ashtu edhe në cilësi.
Gjatë vitit 2023, në QKSUK kanë marrë trajtim mjekësor 12870 pacientë (krahasuar me 10849 pacientë gjatë 2022, me një rritje prej afër 19%) tek të cilët janë realizuar 68020 vizita (krahasuar me 57329 vizita gjatë 2022, me një rritje prej afër 19%) dhe janë kryer 249328 shërbime (krahasuar me 198776 shërbime gjatë 2022, me një rritje prej mbi 25%). Në muajin mars të vitit 2023, ka rifilluar aplikimi i terapisë fikse ortodontike, me ç’rast gjatë këtij viti janë trajtuar 44 raste, sipas indikacioneve për këtë lloj të terapisë. Pas promovimit të metodës së re të sedacionit inhalator në dhjetor 2023, gjatë muajve janar-mars 2024 janë trajtuar 34 raste të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të atyre jo-bashkëpunues. Vlen të theksohet se rastet fillimisht të trajtuara me ndihmën e sedacionit, në vizitat e radhës janë trajtuar pa pasur nevojë për të, duke rritur shkallën e besueshmërisë te pacientët tanë të vegjël. Në Klinikën e Kirurgjisë Orale është bërë pajisja me aparatura të reja (fiziodispenzer dhe aparat piezoelektrik) për ngritjen e cilësisë së shërbimeve kirurgjike. Lista e pritjes në fund të vitit 2022 për shumicën e punimeve protetikore ka qenë 6 muaj, ndërsa në fund të vitit 2023, për ato është reduktuar në 1, deri në 1.5 muaj.