Sot, për herë të parë në Kosovë, në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shërbimin e Radioterapisë, ka filluar aplikimi i metodës më të avancuar të trajtimit, Radioterapia Stereotaktike.
Kjo metodë është shumë e sofistikuar dhe përdoret për trajtimin e tumoreve dhe metastazave në tru, me dimensione prej 1 deri në 3 cm, duke rritur në mënyrë të ndjeshme efektivitetin e trajtimit. Për të parë nga afër fillimin e punës së kësaj procedure, Klinikën e Onkologjisë e vizitoj, u.d. drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari, i cili takoi drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, dhe stafin e klinikës, të cilët i falenderoj për punën dhe përkushtimin e tyre për të filluar këtë procedurë të re mjekësore. Radioterapia stereotaktike për tumoret e trurit është një formë shumë e saktë e terapisë me rrezatim që përdoret për të trajtuar tumoret e trurit dhe gjendje të tjera intrakraniale. Ajo ofron doza të larta dhe të përqendruara të rrezatimit në një zonë specifike, duke minimizuar dëmtimin e indeve të shëndetshme përreth. Radioterapia stereotaktike është veçanërisht efektive për tumoret e vogla dhe të mesme dhe mund të përdoret për gjendje malinje dhe beninje. Karakteristikat kryesore të radioterapisë stereotaktike janë saktësia, teknikat e avancuara të imazherisë (MRI, CT, ose PET), përdoren për të hartuar vendndodhjen e saktë të tumorit. Është metodë, jo-invazive, nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale, rrezatimi jepet nga jashtë. Aplikohet në Doza të larta, në pak seanca dhe trajtimi shpesh përfundon në 1 deri në 5 seanca, në varësi të rastit. Kjo metodë, ofron siguri, përqendrimi i rrezatimit minimizon ekspozimin e indeve të shëndetshme të trurit, duke ulur efektet anësore. Deri më tani, pacientët që kanë pasur nevojë për këtë lloj trajtimi janë dërguar jashtë vendit, duke shkaktuar implikime të konsiderueshme buxhetore për shtetin. Ky zhvillim i ri do të ulë ndjeshëm këto kosto dhe do të mundësojë trajtim cilësor brenda vendit. Ky hap shënon një arritje të madhe për shëndetësinë në Kosovë dhe një avancim të rëndësishëm në trajtimin e tumoreve, duke ofruar shpresë dhe përkujdesje më të mirë për pacientët dhe duke kursyer burimet financiare të vendit.