Thirrjes që ka bërë Ministria e Shëndetësisë për profesionistë mjekësorë që jetojnë në mërgatë, së fundmi i është përgjigjigjur edhe Dr.Fadil Ademaj, Kardiolog Invaziv, i cili për shumë vjet punon dhe vepron në Qendrën Klinike Universitare të Nurnbergut në Gjermani.
I shoqëruar nga zëvëndësministri i shëndetësisë, dr. Arsim Berisha, dr. Ademaj, të shtunën ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Në takim me zëvëndësministrin Berisha dhe u.d. drejtoreshën e përgjithshme të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ku prezent ishin edhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK me mjekë të tjerë, është biseduar për bashkëpunimin dhe përkrahjen që do të bëjë për mjekët e Kosovës, Dr. Ademaj. Ai do të ndihmojë trajnimin e mjekëve kardiologë në QKUK, por edhe në Spitalin e Prizrenit, ku po punohet për hapjen e Shërbimit të Kardiologjisë Invazive. Po ashtu, mjekë nga Kosova do të shkojnë për trajnim në qendrën e specializuar në Gjermani, ku punon Dr. Fadil Ademaj.